Reforma e fiskalizimit synon të ulë nivelin e informalitetit dhe të evazionit fiskal në sistemin ekonomik shqiptar. Kjo reformë bazohet në rritjen e transparencës së transkasioneve tregtare dhe verifikimin e tyre në kohë reale.
Burimi kryesor i reformës së fiskalizimit është Ligji nr. 87/2019, i datës 18.12.2019, i titulluar “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” dhe i botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, më datë 20.01.2020. Ky ligj njihet gjithashtu si “Ligji i fiskalizimit”.
Për sa i përket afateve përfundimtare të zbatimit të reformës së fiskalizimit, ligji nr. 87/2019, është modifikuar nga Ligji nr. 108/2020, i datës 29.07.2020. Sipas këtij të fundit, zbatimi i sistemit të ri, sipas llojit të transaksioneve, do të bëhet si më poshtë:
VINI RE!
Megjithëse në tekstin e ligjit përdoren fjalët “efektet... fillojnë” kjo nuk do të thotë që tatimpaguesit duhet të fillojnë të pajisen me zgjidhje të certifikuar për fiskalizimin duke filluar nga një nga këto afate. Këto afate janë përfundimtare: pra tatimpaguesit duhet të jenë në gjendje të zbatojnë tërësisht ligjin e miratuar, jo më vonë se këto afate. Për shembull, nga data 01.01.2021, që ishte afati i fillimit të efekteve të ligjit për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, nuk është më e mundur të lëshohen fatura tatimore të zakonshme (pra ato të bllokut tatimor). Nga data 01.01.2021 kundrejt administratës publike mund të lëshohen vetëm fatura elektronike, të cilat janë një nga elementet qendrore të ligjit të fiskalizimit.
Udhëzimi nr. 16, i datës 03.04.2020 është udhëzimi kryesor për sa i përket sqarimit në dispozita më konkrete të ligjit nr. 87/2019. Ai ka të bëjë kryesisht me rregullimin e faturave dhe sistemin e monitorimit.
Udhëzimi nr. 20, i datës 01.06.2020 është një udhëzim që sqaron më në detaj se si do të funksionojë dhe kur duhen përdorur faturat elektronike dhe ato shoqëruese.
Për të gjithë ata që janë të interesuar të kuptojnë nëse munden apo jo të lëshojnë fatura të thjeshta, burim i rëndësishëm informacioni është udhëzimi nr. 220, i datës 12.03.2020.
Nëse keni pyetje, dyshime apo nevoja të tjera në lidhje me procesin e fiskalizimit, ju këshillojmë t'i shkruani Administratës Tatimore në në adresën fiskalizimi.helpdesk@tatime.gov.al.